Prej 4 janarit, punonjësit e administratës publike, supermarketeve e qendrave tregtare po paraqiten në punë me certifikatën e vaksinimit ose një test negativ. Zv/ministrja e Shëndetësisë, Vjollca Braho shprehet se për të gjitha ata që nuk respektojnë vendimin, do ketë dhe penalitete.
“Qëllimi kryesor nuk është për vendosjen e masave administrative, por për t’i treguar të gjithë njerëzve për zbatimin e këtij vendimi. Në rastin e moszbatimeve do lihen detyra nga ISHSH dhe më tej nëse nuk do të realizohen do të vendosen edhe masat administrative që janë të përcaktuara në ligjin për përhapjen e sëmundjeve infektive”, tha Braho per Klan News.
Braho thekson se Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor do të bëjë kontrolle të rrepta edhe në universitete për vaksinimin e studentëve.
“Për universitetet do të ketë një kontroll nga ISHSH për zbatimin sepse në to ka një grumbullim të madh personash që në këtë periudhë kemi dhe rritje të numrit të të infektuarve me Covid-19. Duhet që të gjithë të kryejnë procesin e vaksinimit dhe në të njëjtën kohë do të kryhet edhe kontrolli nga ana e ISHSH”.
Autoritetet shëndetësore bëjnë apel për kujdes dhe përdorim të maskës në ambiente të mbyllura, për shkak të qarkullimit të Omicron në vendin tonë.