Shqipëria dhe Turqia u renditën si vende me përqindje të larta të të rinjve në grupmoshën 15-29 vjeç në raport me popullsinë e përgjithshme.
Eurostat bëri një renditje të vendeve dhe rajoneve të Europës, me një hartë që identifikon rajonet që kanë më shumë të rinj me rastin e vitit që sapo nisëm.
2022 është shpallur Viti Europian i Rinisë, ku pritet të ndërmerren një sërë politikash dhe nismash për të rritur produktivitetin e të rinjve si baza e zhvillimit të qëndrueshëm në të ardhmen.
Siç shihet nga harta bashkëngjitur, Shqipëria dhe tre Rajonet e saj (Veri, Qendër dhe Jug) kanë më shumë se 20% të popullsisë së saj në moshën 15-29 vjeç. Statistikat kombëtare tregojnë se në vitin 2021, të rinjtë e kësaj grupmoshe zinin 22.7% të popullsisë totale. Mirëpo një pjesë e madhe e popullatës së të rinjve që numërohen në statistika tashmë janë në emigracion. Një Cens për matjen e popullsisë që pritej të kryhej më 2021 u shty për këtë vit.
Turqia, gjithashtu me të gjitha rajonet e saj, kishte popullsinë më të re në Europë të 15-29 -vjeçarëve që zënë mbi 20% të totalit të popullsisë.
Më 1 janar 2020, në të gjithë BE-në, një në gjashtë persona ishte nga mosha 15 deri në 29 vjeç, duke përfaqësuar 73.6 milionë njerëz të popullsisë totale të BE-së (447.3 milionë).
Ndër vendet anëtare të BE-së, rajoni “Île-de-France” kishte numrin më të madh të të rinjve midis 15 dhe 29 vjeç në 2020 (2.4 milionë). Pas kësaj ishin rajonet e Lombardisë (1.5 milionë), Andaluzisë (1.4 milionë), Katalonjës dhe Rhône-Alpes (të dyja 1.2 milionë), dhe Madridit dhe Kampanisë (të dyja 1 milionë).
Megjithatë, në lidhje me madhësinë e popullsisë, përqindjet më të larta të grupmoshës 15 deri në 29 vjeç në BE u gjetën në Guiana dhe Mayotte (të dyja në Francë) si dhe Groningen (në Holandë), ku 23% e popullsisë ishin të rinj.
Me tej Qiproja, kryeqytetit të Danimarkës dhe rajoni autonom spanjoll Melilla kishin më shumë të rinj në raport me popullsinë totale (secili 21%).
Nga ana tjetër, përqindjet më të ulëta të të rinjve në BE u gjetën në Chemnitz dhe Brandenburg në Gjermani (të dyja 11%), Turingia, Mecklenburg-Pomerania Perëndimore, Saksonia (të gjitha në Gjermani) dhe Asturias në Spanjë (secila 12% )./Monitor