Nis largimi i dherave dhe pishave të rrëzuara në aksin rrugor të Currilave dhe Kallmit. Pas pushimit të reshjeve, ekipet e Ndërrmarrjes së Shërbimit Komunal janë angazhuar për të rikthyer normalitetin në këtë aks dhe për të larguar nga asfalti pirgjet me dhera dhe pishat që kishin përfunduar në asfalt.
Mëngjesin e së hënës, “DurrësLajm” pasqyroi gjendjen e vështirë të krijuar në këtë aks si pasojë e rrëshqitjes së dherave dhe argjilës nga kodra.
Ndërkohë sot, pas shirave të një nate më parë, në asfaltin e rrugës që të çon në Kallm kanë përfunduar edhe pisha, të cilat po largohen nga punonjësit e NSHK-së për të rikthyer qarkullimin në këtë aks. Kjo është e disata herë që punonjësit e kësaj ndërrmarrjeje angazhohen për largimin e dherave që bllokojnë rrugën, por fenomeni përsëritet sa herë rikthehen reshjet.
Investimi i realizuar pak vite më parë në kodrën e Currilave e pati jetën e shkurtër, pasi, megjithëse u shpenzuan rreth 2 milionë euro për të frenuar fenomenin e erozionit nga faqja e kodrës, problematika vazhdon ende sot.





