Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë ka reaguar në lidhje me arrestimin e Endri Konomit dhe Klodian Sotos, të cilët akuzohen nga prokuroria se kanë blerë për përdorimin e tyre të dhënat personale të shqiptarëve. Sipas tyre, ato nuk janë përmbarues, por mashtrues, pasi nuk punojnë në këtë punë.

Reagimi i plotë

NUK JANË PËRMBARUES – JANË MASHTRUES

Informojmë dhe sqarojmë mediat bashkë me opinionin publik se dy personat që blenë dhe përdorën të dhënat e shqiptarëve, përkatësisht Endri Ikonomi dhe Klodian Sota nuk janë përmbarues dhe nuk kanë qenë kurrë të tillë. Kryeprokurorja e Tiranës sot u shpreh se “këta dy persona punojnë në fushën e përmbarimit”, por në fakt të dy punojnë në fushën e MASHTRIMIT:

– I pari ka krijuar “PRO 3VT” sh.p.k. – Institucion financiar mikrokredie;

– I dyti “SMART COLLECTION” sh.p.k. – Kompani “Mbledhje detyrimesh/kredish të këqija për bankat e nivelit të dytë dhe të trete…”.

Të dyja kompanitë në mashtrim të ligjit dhe qytetarëve, pa asnjë lloj licence për këto aktivitete, janë regjistruar nga Qendra Kombëtare e Biznesit dhe lejuar nga Banka e Shqipërisë. Akuzojmë publikisht titullarët e këtyre dy institucioneve për lejimin e tyre, ashtu si të dhjetëra të tjerave që ne i kemi denoncuar disa herë si “Baraka Financiare”, të cilat mbledhin borxhe nëpërmjet mashtrimit dhe shantazhit. Kemi denoncuar pa reshtur fenomenin e bërjes së “përmbarimit” me telefonata dhe shkresa mashtruese, që s’kanë asnjë lidhje me shërbimin përmbarimor shtetëror apo privat, por vetëm me këta blerës të paskrupullt të borxheve të qytetarëve dhe databazave shtetërore.

Shteti me gjithë organe ligjzbatuese prej vitesh ka heshtur! Ashtu si janë blerë borxhet e shqiptarëve për dy lekë, po për aq pak sot pamë se janë blerë edhe instrumentet për t’i shantazhuar ata, adresat, numrat e telefonit, të dhënat e gjendjes civile, mjeteve motorike etj.

Dhoma e Përmbaruesve i bën thirrje Prokurorisë së Shtetit të mos “flejë” mbi çështjet e denoncuara prej dy vitesh nga Ministria e Drejtësisë dhe prej disa muajsh nga përmbaruesit. Databazat e shtetit shqiptar janë blerë për të mashtruar dhe shantazhuar publikun dhe ky duhet të ishte hetim i përfunduar prej kohësh…

Sipas hetimeve të Prokurorisë, rezulton se është punonjësi i IT, Andi Agaraj ai i cili të dhënat që i dërgonte kolegia e tij, Eni Qirjako ja ka shitur përmbaruesve Klodian Sota dhe Endri Ikonomi në periudha të ndryshe për shumën 20-30 mijë lekë. Agaraj , të dhënat i kalonte me e-mail në programin Wetransfer, i shkarkonte në kompjuterin e tij të punës dhe më pas i kopjonte në CD dhe ja dërgonte dorazi dy përmbaruesve.