Ish kryeministri Sali Berisha ka njoftuar mbylljen e protestës së sotme teksa ka deklaruar se do të ketë protestë tjetër.
Berisha tha se beteja nuk do të ndalet kundër asaj që ai e quan “narkoqeveri dhe narkoopozitë”.
“Këta dhjetëra mijëra mbështetës i ftoj në njoftimin që do marrim shumë shpejt të bashkohen në betejën tonë, gjer në realizimin e plotë të qëllimeve. Kemi përballë një narkoshtet, një diktaturë të vërtetë. Kjo betejë dëshmon se sa jetike është përpjekja jonë për të bërë Shqipërinë me një opozitë të vërtetë. Ndaj dhe me mirënjohjen time të pakufishme ndaj jush, ju ftoj ta mbyllim këtë protestë sot këtu, për ta vazhduar në forma edhe më të fuqishme se kjo që bëmë sot.
Dyert e selisë janë dyert e shtëpisë dhe jo të banditëve. Ata që gjuajtën anëtarët e PD me karrige e gurë, ata janë kriminelë dhe banditë të Edi Ramës, që janë tashmë të identifikuar me figurë. Dyert e PD, në mënyrë absolute, do të hapen nga ata 44 mijë burra e gra, që votuan për shkarkimin e peng-Bashës.
Kjo nuk ka asnjë lloj ekuivoku. Këtu nuk ka forcë që na pengon ne. Ka plot variante të tjera, që ne mund të ndjekim, por ne do kthejmë shtëpinë tonë në shtëpinë e lirisë. Nuk kam unë ndrojtje, jam anëtar i një revolucioni fitimtar. Nuk ka të ndalur. Dita e sotme provon se ky është një mision pothuajse i shenjtë. Ja ku është demokracia shqiptare. Kjo është fytyra e vërtetë e narkoshtetit, e narkokracisë shqiptare. Kështu që kjo përbën një motivim shumë më të madh për të vazhduar këtë revolucion deri në triumfin e tij. Basha është peng i Ramës. Pluralizmi politik është arritja historike më e madhe shqiptare. Ata që duan ta mbajnë peng me banditë, me mjete dhune, ata do të përballen në vrullin e një revolucioni që nuk ka të ndalur”, tha Berisha.
Ta mbyllim këtë protestë për ta vazhduar në forma edhe më të fuqishme sesa kjo sot” tha ai ndër të tjera.





