Kryeministri Edi Rama ka këshilluar të gjithë demokratët që të braktisin politikën e vjetër të Bashës dhe të Berishës. Në një komunikim live në Facebook, kreu i qeverisë u shpreh i vendosur së me këta dy persona, opozita nuk fiton dot zgjedhjet. Kjo jo për shkak të patronazhistëve apo bandave, por sipas tij sepse ata janë pakicë.
“Nuk do të humbja kohë të merresha me këta dy persona, edhe në parlament e kam thënë që nuk ka legjitimitet asnjëri prej tyre. E kam thënë që nuk do replikoj, me përjashtim të ndonjë rasti, por merrem sepse për shkak të këtyre dy personave po shkatërrohet një aset i rëndësishëm si opozitë dhe për shkak të këtyre dy personave Shqipëria u bë gaz i botës.
Këta nuk fitojnë dot zgjedhje me PS, jo për shkak të regjimit, as për shkak të patronazhistëve, as për shkak të bandave, por për një arsye të thjeshtë, sepse këta janë një pakicë në popull dhe janë e njëjta mbetje. Por dëmi që bëjnë shkojnë përtej tyre. Për interesin e tyre personal, që të dy janë në një kacafytje për interesa personale.
Harrojnë se njëri po mbron linjën amerikane dhe tjetri po mbron dinjitetin. Këto janë përralla.
Ky është një qamet i madh. Ky është një fund tragjikomik i një politike që për 30 vite ka përsëritur të njëjtën gje.
Është koha miqtë e mi demokratë për t’u ndarë nga kjo politike. Është koha për tju varur teneqet këtyre dy personave”, u shpreh kryeministri.





