Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale lidhur me lëkundjet e tërmetit që ndjenë mbrëmjen e së dielës.
“Lëkundjet e tërmetit që u ndjenë edhe në vendin tonë e kishin epiqendrën në kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, sipas të dhënave paraprake nga IGJEUM, rreth 40 km në Veri-Lindje të Bilishtit me magnitudë 5.6 sipas shkallës Rihter. Intensiteti i tërmetit vlerësohet paraprakisht 6 ballë sipas shkallës MSK-64.
Edhe pse shumë herët, deri në këto momente nuk raportohen dëme, megjithatë të gjitha strukturat e emergjencave civile janë në gatishmëri të plotë për të evidentuar e më pas reaguar në çdo situatë”, shkruan Peleshi.
Sipas Institutit të GjeoShkencave tërmeti në Shqipëri ishte me intensitet 6 ballësh dhe magnitudë 5.6 të shkallës Rihter dhe është regjistruar në orën 22:43, ndërsa epiqendra ishte 40 km në veri-lindje te Bilishtit, ku në vijë ajrore është distanca me qytetin e Follorinës, në Greqi.