Familja e 3-vjeçarit që humbi jetën në një kopsht privat në Fier, janë mbledhur sot përpara prokurorisë për të kërkuar drejtësi.
Nëna e djalit Donalda Kodheli tha se edukatorja e ka marrë në telefon dhe se i ka thënë se djali është në gjendje të mirë, ndërkohë i mitur ka mbërritur i pajetë në spital.
“Edukatorja më ka gënjyer, më ka marrë mua të parën në telefon më tha është mbytur me litar të bluzës, është në gjendje të mirë dhe është përmendur. Në momentin që shkova në spital, më thanë është futur në sallë të operimit, pastaj doktori më tha fëmija ka ardhur pa jetë këtu. Na thanë ka kamera sigurie, por kur shkuam nuk kishte. Djali 15 kg nuk ka mundësi të mbytej nga varësja. Kërkoj drejtësi për shpirtin e Noas tim”, tha nëna e 3-vjeçarit.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e të premtes, ku 3-vjeçari u dërgua me të nxira në qafë drejt spitalit të Fierit, sipas mjekëve i pajetë.
Familja ka shkuar pranë kopshtit në fjalë për të marë pamjet nga kamerat e sigurisë, por sipas drejtuesve të tij, ato nuk kanë qenë në gjendje pune.