Myrto Uzuni nuk ka mundur t’i shpëtojë infektimit me koronavirus. Mediet hungareze raportojnë se sulmuesi i kombëtares së Shqipërisë është një nga të prekurit me Covid19, teksa në klubin e Ferencvaros janë infektuar disa futbollistë dhe pjesëtarë të stafit teknik. Një situatë e tillë ka detyruar drejtuesit që të anulojnë fazën përgatitore të janarit, e cila ishte programuar për tu zhvilluar në Marbella të Spanjës.

Ferencvarosh ka anuluar ndeshjet miqësore të programuara për tu luajtur gjatë kësaj periudhe: ato ndaj zviceranëve të St Gallen dhe Lugano, dhe duelin kundër rumunëve të Cluj.

Uzuni është lojtari me statistikat më të mira këtë edicion te kampionët në fuqi, teksa u shpall dhe lojtari i vitit në Hungari.

Sulmuesi nga Berati ka shënuar 7 gola në kampionat, 8 gola në Kupë dhe 4 gola në Kupat e Europës, në total 19 realizime, që konfirmojnë formën e mirë që po kalonte 26-vjeçari. Uzuni e ka ndihmuar Ferencvaros që të renditet në vendin e parë në elitën e futbollit hungarez, me ekipin e tij që pas 16 ndeshjesh renditet në vendin e parë me 35 pikë, një më shumë se vendi i dytë, Kisvarda, ku luajnë Jasir Asani, Herdi Prenga dhe Driton Camaj, me këta të fundit që kanë luajtur një ndeshje më shumë.