Komiteti Teknik i Ekspertëve, u mblodh këtë të hënë për të vlerësuar ecurinë e pandemisë në vend. Shefja e epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino tha në një dalje për mediat se gjatë javës së fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të rasteve të reja me Covid.
Bino u shpreh se incidenca një javore është rritur në 209 raste për 100 mijë banorë. Sipas ekspertes, rritja më e madhe e rasteve vërehet në Tiranë, por nuk përjashtohet as Durrësi.
“Këtë javë vërejmë rritje të numrit të rasteve, incidenca javore ka shkuar në 209 raste për 100 mijë banorë, incidencë e cila duket një rritje drastike, e rëndësishme, se deri një javë përpara kjo ishte nën 200.
Vërejmë dhe rritje të incidencës dy javore, duke pasur parasysh periudhën e inkubaiconit, e cila shkon në 378 raste për 100 mijë banorë.
Janë tregues me teper me rëndësi sidomos në këtë javë, kombinohet dhe me rritjen e shtrimit në spitale dhe rritje të numrit të vdekjeve.
Me rëndësi rritja më e madhe vihet re në Tiranë por dhe në rrethe të tjera si Durrës, Fier, pavarësisht se incidenca më e lartë vihet re në bashkinë e Sarandës.
Rritja kësaj jave që është rritja kryesore është në këto bashki që përmenda. Por po të marrim gjithë Shqiperinë, kemi rritje graduale në gjitha bashkitë e vendit.
Grupomosha ka pasur rritje jo vetëm tek të rinjtë, para dy jave kishim tendencë në rritje në grupmoshat e reja, por aktualisht kemi rritje të infektimeve në të gjitha grupmoshat. Kemi rritje të mirëfilltë të rasteve pas festave të janarit”, tha Bino.





