Kryeministri Edi Rama e komentoi të pazakontë situatën e krijuar brenda Partisë Demokratike, ku së fundmi kredemokrati Lulzim Basha përjashtoi nga Kryesia Sali Berishën me mbështetësit e tij.

Marrëdhënien e tensionuar mes Bashës dhe Berishës, kryeministri e ka emërtuar një kacafytje të veçantë, ku të dy protagonistët politikë janë të lidhur fort me njëri- tjetrin dhe nëse bie njëri, bie dhe tjetri.

“Fitoret kanë qenë karakteristikë e jona. Patjetër kjo është për të qarë dhe për të qeshur, por unë nuk mund të qaj për gjendjen dramatik që është PD. Nuk më rezulton që ne të kemi ndërtuar fortifikime për t’u mbrojtur prej tyre. Jemi të gjithë bashkë, jo në proces vetjak që janë të dyja kufomat që kanë marrë peng demokratët duke u kacafytur me njëri tjetrin. Është një kacafytje e veçantë, që po ra njëri bie dhe tjetri”, tha Rama.

Sipas tij, demokratët duhet të dalin nga kjo situatë duke i lënë të dyja “kufomat” dhe duke parë përpara.

“Njëri kufomë me seli tjetri pa seli, njëri i mbyllur në selinë blu tjetri i kyçur në listën e zezë, uroj që demokratët të dalin nga kjo duke i lënë këto kufoma dhe duke parë përpara. Nuk dimë më se kush është kush në këtë histori dhe kush përfaqëson kë. Të dy këta të mbetur nga e shkuara në këmbë nuk kanë asnjë legjitimitet veç e veç, deputetët janë legjitimë se janë aty me votën e popullit”, tha kryeministri.

Në lidhje me pyetjen nëse do të ketë bashkëpunim me opozitën, Rama e la të hapur çështjen, duke theksuar se pritet si të do të jenë zhvillimet, nëse situata do të qetësohet apo jo.

“Situata është e vështirë dhe do të shikojmë si do të zhvillohet,, uroj që dhuna që pamë dhe fortifikimet që janë anë të njëjtës medalje të mbeten mbrapa”, tha ai.