Mësohet se militantët islamikë kanë sulmuar një hotel në Somali. Autorët e kësaj ngjarje janë përplasur me armë zjarri me forcat e sigurisë në kryeqytetin Mogadishu. Media e huaj BBC shkruan se pas këtij sulmi fshihet grupi Al-Shabab. Ngjarja nisi pas shpërthimit të një makine bombë të dielën pasdite.
Ndërkohë Reuters ka raportuar për 9 viktima. Grupi terrorist lidhet me Al-Kaedën dhe sulmon vazhdimisht qeverinë. Një makinë goditi hyrjen qendrore të hotelit dhe shpërtheu disa momente përpara se autorët të hynin në ndërtesë.
Një dëshmitar ka deklaruar se shpërthimi shkaktoi dridhjen e hotelit ndërkohë që po qëndronin brenda. “Ishim të panikosur dhe të hutuar.”, tha ai.
Kryeministri Mohamed Hussein Roble tha në një deklaratë se mes viktimave është edhe një ish-gjeneral ushtrie. Ndërkohë hoteli i shënjestruar prej militantëve është një prej më të ruajturit në kryeqytetin somalez.
Ai njihet për shkak se aty mblidhen zyrtarët e qeverisë. Policia tha se në momentin e ngjarjes brenda ndodheshin disa ligjvënës të vjetër.





