Me fillimin e vitit 2022, pasojat e COVID-19 në ekonomi dhe shoqëri vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim kritik ndaj botës. Pabarazia e vaksinave dhe një pabarazi në rimëkëmbjen ekonomike, pritet të vihen re këtë vit, krahas edhe tensioneve gjeopolitike. Kështu citohet në raportin e 17-të, të Forumit Ekonomik Botëror, për Rreziqet Globale.

Sipas raportit, 5 janë risqet kryesore që cënojnë Shqipërinë këtë vit:
– Luhatje të marrëdhënieve ndërshtetërore
– Dëmtimi i mjedisit nga dora e njeriut
– Mangësi në masat e sigurisë kibernetike
– Kriza e borxhit
– Sëmundje infektive

Sipas raportit, nga 2024, ekonomitë në zhvillim (me përjashtim të Kinës) do të shohin një rënie 5.5% nën PBB-në e pritur para pandemisë, ndërkohë që ekonomitë e zhvilluara do ta kenë tejkaluar me 0.9%, duke zgjeruar kështu hendekun global të të ardhurave.
Divergjenca globale do të krijojë tensione, brenda dhe përtej kufijve, që rrezikojnë të përkeqësojnë ndikimet në kurbën e një pandemie që vijon dhe duke e komplikuar koordinimin e nevojshëm për të trajtuar sfidat e përbashkëta duke përfshirë forcimin e veprimit klimatik, përmirësimin e sigurisë dixhitale, rivendosjen e prioriteteve për përmirësimin social të jetesës etj.

Raporti i Rreziqeve Globale të Forumit Ekonomik Botëror 2022 paraqet rezultatet e Anketës më të fundit të Perceptimit të Rreziqeve Globale, e ndjekur nga analiza e rreziqeve kryesore që rrjedhin nga tensionet aktuale ekonomike, shoqërore, mjedisore dhe teknologjike.

Sipas Raportit të Rrezikut Global të Forumit Ekonomik Botëror 2022 globalisht:
-Rreziqet kryesore janë kriza klimatike, rritja e ndarjeve sociale, rritja e rreziqeve kibernetike dhe një rimëkëmbje e pabarabartë globale, ndërsa pandemia vazhdon.
-Sondazhi global i ekspertëve të rrezikut zbulon se vetëm 1 në 6 janë optimistë dhe 1 në 10 besojnë se rimëkëmbja globale do të përshpejtohet.
-Për të zgjidhur këto çështje sistemike, udhëheqësit globalë duhet të mblidhen dhe të miratojnë një përgjigje të koordinuar, me shumë palë, për të siguruar një rimëkëmbje të barabartë globale.
-Rreziqet klimatike dominojnë shqetësimet globale teksa bota hyn në vitin e 3-të të pandemisë. Sipas Raportit të Rreziqeve Globale 2022, rreziqet kryesore afatshkurtra dhe afatgjata janë, përkatësisht: Dështimi i veprimit ndaj motit ekstrem dhe ndryshimeve të klimës.
-Ndarjet shoqërore, krizat e jetesës dhe përkeqësimi i shëndetit mendor janë ndër rreziqet që janë përkeqësuar më shumë që nga fillimi i pandemisë dhe mbeten shqetësime të forta.

Për më tepër, shumica e ekspertëve të rrezikut besojnë se një rimëkëmbje globale do të jetë e paqëndrueshme dhe e pabarabartë gjatë tre viteve të ardhshme. Individët më të cenueshëm mund të kenë nevojë të lënë shtëpitë e tyre për të gjetur mundësi të reja ekonomike, ndërkohë që efektet e pandemisë, rritja e proteksionizmit dhe dinamikat e reja të tregut të punës po krijojnë barriera për emigrantët. Emigrimi i pavullnetshëm shfaqet si shqetësimi kryesor afatgjatë në raportin e këtij viti.