Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) vuri në dukje se, nëse nuk hartohen politika për të adresuar emigracionin dhe shkallën në rënie të lindjeve, me shumë gjasa popullsia shqiptare do të vazhdojë të bjerë.
“Emigracioni i të rinjve jo vetëm që redukton në mënyrë të pashmangshme dhe eksponenciale shkallën kombëtare të lindjeve, por edhe ka ndikuar negativisht në ekonomi, mekanizmat e kujdesit social dhe modelet familjare, si dhe ka penguar rritjen dhe zhvillimin ekonomik duke gërryer kapitalin shoqëror të vendit” thuhet në analizën për situatën e fëmijëve dhe adoleshentëve në Shqipëri.
Studimet që ka referuar UNICEF tregojnë se fëmijët dhe prindërit e shohin emigracionin si një zgjedhje pozitive. Vendimi i thuajse 60% të maturantëve për të studiuar jashtë vendit pasqyron jo vetëm vlerësimin që kanë lidhur me perspektivat e tyre ekonomike, por edhe sistemin arsimor kombëtar.
Gjatë periudhës 2015 – 2019, rritja e PBB-së në Shqipëri arriti një mesatare prej 3.26 për qind në vit, megjithatë, rritja e të ardhurave kombëtare nuk është përkthyer në përmirësimin e arsimit, shëndetësisë, ose mbrojtjes sociale, dhe qeveritë e njëpasnjëshme nuk kanë investuar mjaftueshëm në shërbimet për fëmijë.
Shpenzimet publike për arsimin arritën vetëm 3.4 për qind të PBB-së në Shqipëri në vitin 2020, që është më pak se mesatarja e OECD-së (5.4%) dhe BE-së.
Gjithashtu shpenzimet publike në Shëndetësi si përqindje e PBB-së arritën vetëm në 3.2 për qind në vitin 2020, ndërsa shpenzimet në shëndetësi si përqindje e shpenzimeve totale buxhetore ishin me ulje.
Shqipëria u rendit e fundit në indeksin Evropian për Shëndetin e Konsumatorit në vitin 2018, për shkak të alokimit të ulët shpërpjesëtimor të burimeve drejt kujdesit shëndetësor parësor (KSHP), veçanërisht për shëndetin e nënës dhe fëmijës.
Kombet e Bashkuara nëpërmjet UNICEF mendojnë se Shqipëria ka ende hapësira për të rritur të ardhurat e disponueshme për fëmijët, edhe në kontekstin e rënies së PBB-së për shkak të COVID-19.
Aktualisht, Shqipëria mbledh taksa të barasvlershme deri në rreth 27.3 për qind të PBB-së së saj kundrejt një mesatareje të vendeve të OECD-së prej 34 për qind. Sipas Kombeve të Bashkuara humbja e taksave nëpërmjet tregut informal të punës është një tjetër fushë e reformës fiskale që mund të përdoret për përfitime direkte të familjeve, ashtu si dhe rikuperimi i fondeve të humbura nga korrupsioni dhe keq menaxhimi.
Modelet e zhvillimit të një vendi nuk do të mund të zbatohen nëse qeveria nuk investon tek grupet më të reja të popullsisë për ti arsimuar për tiu siguruar një ambient që të rriten të shëndetshëm.
Studimi i UNICEF referon se, ekzistojnë pak informacione rreth statusit të shëndetit mendor të popullsisë, sidomos tek adoleshentët. Megjithatë, rritja vjetore në 60 për qind (nga 2016– 2017) e grupmoshës 0–14 vjeç, që kryen vizita të shëndetit mendor në poliklinikat e bashkive, dhe rritja në 89 për qind e vizitave spitalore për 0–24 vjeçarët, e kombinuar me një shkallë të lartë vetëvrasjeje prej 6.03 për 100,000 persona nga popullsia e grup moshës 10–24 vjet, duhet të shërbejë si alarm për adresuar situatën menjëherë, këshillon UNICEF. /Monitor/