Varrezat e Durrësit drejt privatizimit, por bashkia ka planifikuar në buxhet të shpenzojë 200 milionë lekë të vjetra për rikonstruksionin e tyre.
Në buxhetin e këtij viti, në një zë të veçantë është vendosur shuma në fjalë, ndërkohë që nuk dihet se çfarë nënkupton rikonstruksioni i varrezave të reja dhe të vjetra.
Ajo që duket se nuk bën sens është fakti që bashkia planifikon të harxhojë 200 milionë lekë të tatimpaguesve durrsakë pikërisht në vitin kur pritet që shërbimi i mirëmbajtjes dhe ruajtjes së varrezave t’i kalojë privatit.
Pushteti vendor nuk investoi gjatë këtyre viteve që e kishte nën administrimin e vet këtë shërbim dhe zgjedh pikërisht këtë periudhë për të shpenzuar shumën e konsiderueshme.
Bashkia po tenton ta privatizojë këtë shërbim me shpjegimin se NSHK e ka të pamundur me organikën që ka në dispozicion të përballojë fluksin e varrimeve ditore dhe njëkohësisht të mirëmbajë vendprehjen e përhershme të qytetarëve durrsakë që ndahen nga jeta.
Bashkia nuk punëson të tjerë punonjës në Sektorin Funeral për ta vazhduar ta administrojë këtë shërbim fitimprurës përmes NSHK, por zgjedh të shpenzojë 200 milionë lekë për t’ia ofruar varrezat në gjendje më të mirë operatorit ekonomik që do t’i privatizojë.
Njëkohësisht disa pikëpyetje ngre edhe relacioni që u është paraqitur një ditë më parë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Durrës këshilltarëve.
“Sektori funeral me drejtim ekonomik në këto dy vitet e fundit ka qenë me një fitim gjithmonë e me të ulët në krahasim me vitet e mëparshme, pasi ka shumë konkurencë nga aktiviteti që kryejnë agjencitë private funerale të ndryshme”,- thuhet në relacion, gjë që përgënjeshtrohet nga burime pranë NSHK.
Në një shkrim të tre ditëve më parë, “DurrësLajm” shkruante se shërbimi funeral është shërbimi më fitimprurës i NSHK-së, ndërkohë që në vitin 2020 krahasuar me vitet e tjera numri i vdekjeve ka qenë më i lartë për shkak të pandemisë Covid-19. Nuk dimë nëse hartuesit e relacionit u kanë paraqitur këshilltarëve shifrat konkrete që dokumentojnë se ky shërbim është me fitim gjithnjë e më të ulët, pasi në dokumentin që ne disponojmë nuk jepen shifra krahasuese për të bërë diferencën e fitimeve ndër vite të këtij sektori.
Një fakt tjetër interesant është se nisja e procedurave për privatizimin e varrezave miratohet në janar 2020, 3 muaj para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Një tentativë tjetër për nisjen e procedurave u bë edhe në mars 2019, 3 muaj para zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.
Pyetja që mund të shtrohet: Pse zgjidhet përherë një periudhë e tillë kohore për të privatizuar një sektor shumë sensitiv për të gjithë banorët e Durrësit???
M.B.





