Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar sot protestën e 21 janarit, kur u vranë katër protestues para Kryeministrisë.

Kreu i qeverisë shprehet i bindur se drejtësia vonon por nuk harron, ndërsa shkruan se vrasja barbare e katër protestuesve paqësorë kërkon drejtësi.

“Me bindjen që drejtësia vonon po nuk harron, si edhe ndjesinë më në fund pozitive nga shenjat e dallueshme të veprimit të drejtësisë së re, nderojmë sot katër protestuesit paqësorë të 21 janarit, vrasja barbare e të cilëve kërkon drejtësi”, shkruan Kryeministri në rrjete sociale.

Sot mbushen 11 vjet nga vrasja e 4 protestuesve të cilët atë kohë protestonin para Kryeministrisë, më 21 janar të 2011-ës kur Partia Socialiste ishte në opozitë ndërsa PD-ja dhe LSI-ja qeverisnin së bashku dhe kryeministër atëherë ishte Sali Berisha, ndërkohë Lulzim Basha ishte ministër i Brendshëm.

Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj janë viktimat e 21 janarit. Familjarët e tyre akoma sot presin drejtësi. Vitin e kaluar Policia e Tiranës përmes një kërkese i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës për rihapjen e dosjes “21 Janari”. Kujtojmë se Prokuroria e Tiranës i pezulloi hetimet për njërin prej të vrarëve në bulevard, Aleks Nikën, në 2020.