Vota e emigrantëve dhe modeli më optimal për ta mundësuar atë, ka qenë në fokus të bisedimeve që kryetari i KQZ Ilirijan Celibashi zhvilloi në Athinë me ministrin e Brendshëm grek Maqis Voridhis.
Ndonëse një premtim shumëvjeçar i politikës shqiptare, deri tani ka qenë pikërisht politika që e ka përdorur votën e emigrantëve për përfitime mikropolitike.
Vizita e Celibashit ka qenë e ngjeshur me takime me ekspertë të çështjes.
Në fokus të hulumtimeve të palës shqiptare ka qenë modeli grek i votës së diasporës dhe problematikat që rrjedhin prej procedurave detyruese të këtij ligji.
Greqia ka një ligj për votën e diasporës,por sipas ekspertëve grekë, mundësia e votimit për qytetarët grekë jashtë vendit, është tepër e koklavitur dhe e vështirë, ndaj në bisedime mes dy palëve u shkëmbyen mendime për zgjidhje konkrete dhe përmirësimin e procedurave në mënyrë që votimi i diasporës të kryhet thjeshtë, në mënyrë efektive dhe i pa cënuar.
Të dy vendet analizuan edhe modelet e vendeve të rajonit, ku modeli i Kosovës dhe ai bullgar duket se janë goxha të përparuar dhe mjaftë praktikë.
Voridhi vlerësoi kontributin e emigrantëve shqiptarë në Greqi si dhe të minoritetit grek në Shqipëri si ura lidhëse solide që kanë tejkaluar me kohë stereotipet dhe mosmarrëveshjet mes dy vendeve.
Celibashi u shoqërua prej ambasadores shqiptare në Athinë Luela Hajdaraga dhe një grup ekspertësh juristë.
Voridhi pritet të zhvillojë së shpejti një vizitë pune në Tiranë.





