Plot 52 vite dhe 6 muaj burg ka kërkuar Prokuroria për vrasjen e 40-vjeçarit Florian Lamçe në Elbasan. 

Për Sokol Sanxhaktarin, dhëndri i ish-kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdini, i akuzuar për “Vrasje me dashje në bashkëpunim” u kërkua 20 vjet burgim dhe periudha e sigurisë që të vuaj dënimin e plotë dhe të mos përfitoj lirim me kusht.

20 vjet burg kërkoi prokuroria edhe për Adriano Hajdarin, i akuzuar gjithashtu për “vrasje me dashje” në bashkëpunim.

Organi i akuzës kërkon dënimin me 6 vjet e 6 muaj burg për “moskallëzim krimi” dhe “deklarim i rremë” për të pandehurin Amadeus Lamçja.

Për Mehemet Mucën kërkohet 6 vjet burgim, i akuzuar për “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Si ndodhi ngjarja:

Tre shokët ndodheshin në ambientet e lokal “Piazza del sol”, në qendër të Elbasanit.

Viktima, Florian Lamçja, ose siç njihej ndryshe në Elbasan me nofkën “Flor Qorri”, Adriano Hajdari dhe Sokol Sanxhaktari, në shoqërinë e njëri-tjetrit kanë konsumuar pije alkoolike.

Një burim nga Policia tha se ata mund të kenë konsumuar edhe lëndë narkotike, fakt ky i pakonfirmuar zyrtarisht.

Në bisedë e sipër, rreth orës 04:00 të mëngjesit ata janë zënë me njëri-tjetrin duke bërë që të përdorin shishet e birës dhe për pasojë kanë lënë të vdekur Florian Lamçjan.

Për këtë ngjarje u arrestuan Adriano Hajdari dhe Sokol Sanxhaktari, dhëndri i ish-kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdinit. Dy të arrestuarit dhe vetë viktima Florian Lamçja konsideroheshin si persona me precedentë penalë në Elbasan.