Ministrja e Arsimit Evis Kushi foli sot pas mbledhjes së qeverisë për ndërprerjen e procesit mësimor për tre ditë si dhe rikthimin e nxënësve e mësuesve nesër në shkolla.
Ajo tha se temperaturat ishin jo të zakonshme për një vend si Shqipëria dhe se vendime të tilla kanë marrë dhe Greqia e Turqia për shkak të motit.
“Lajmi i mirë është që nesër të gjithë nxënësit dhe mësuesit do të kthehen në shkolla, pasi sipas parashikimeve të motit do të ketë përmirësim të temperaturave. Temperaturat ishin jo të zakonshme për një vend si Shqipëria. Kjo nuk është një gjë që ndodh vetëm në Shqipëri. Ju jeni informuar që edhe Greqia i mbylli shkollat ditën e hënë për shkak të temperaturave, edhe Turqia ka bërë të njëjtën gjë. Arsyeja nuk ka qenë vetëm problematika e ngrohjes në shkolla, por ne duhet të kemi kujdes që në momentin që nxënësit dalin nga shtëpia dhe duhet të marrim masa. Çerdhet dhe kopshtet janë në varësi të bashkisë. Bashkitë mund të marrin vendim, por nga ana tjetër prindërit nuk janë të detyruar t’i çojnë nëse shikojnë temperaturat e ulëta”, deklaroi Kushi.
Ajo uroi që të mos ketë sërish surpriza nga moti në të ardhmen që mund të detyrohen të mbyllen shkollat.
“Shpresojmë që kushtet atmosferike të mos ofrojnë surpriza të tjera që ne të detyrohemi të mbyllim shkollat. Por ishte e nevojshme për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve tanë”, tha ministrja.