Ministria e Arsimit ka publikuar udhëzimin për provimin e kualifikimit të mësuesve. Të gjithë arsimtarët në shkollat publike dhe private që janë kandidatë për të hyrë në këtë provim duhet që brenda datës 15 shkurt 2022, të dorëzojnë formularin e aplikimit së bashku me portofolin profesional sipas profilit përkatës.
Për mësuesit e diplomuar nga janari i vitit 2011 e në vijim duhet që të kenë edhe licencën e ushtrimit të profesionit të mësuesit. Ndërkohë që testi me shkrim do të zhvillohet më 9 prill, ora 10:00-12:30, në Tiranë në mjediset e përcaktuara nga Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP).
Në provimin e kualifikimit mund të hyjnë të gjithë mësuesit, të cilët, deri më datë 31 dhjetor të vitit paraardhës, plotësojnë kushtet e mëposhtme për vjetërsinë e punës në arsim. Pra kanë të paktën 5 vjet punë për kategorinë e kualifikimit “Mësues i kualifikuar”.
Të paktën 10 vjet punë për kategorinë e kualifikimit “Mësues specialist”. Të paktën 20 vjet punë për kategorinë e kualifikimit “Mësues mjeshtër”. Kusht për të aplikuar janë të paktën 3 ditë trajnimi në vit kalendarik, të cilat janë të barasvlefshme me 18 orë trajnimi të pasqyruara me 1(një) kredit. Vlerësimi i kualifikimit përbëhet me sistemin e 100 pikëve, i cili përfshin pikët e portofolit, bonueseve si dhe pikët e testit.
Kandidatët që vlerësohen dobët, kanë të drejtën të aplikojnë për kategorinë e kualifikimit jo më parë se dy vjet.