Mason Greenwood është liruar me kusht pasi u arrestua për një sërë veprash, duke përfshirë përdhunimin dhe kërcënimin për vrasje.

Sulmuesi i Manchester United kaloi tri netë në paraburgim, qëkur policët e arrestuan në shtëpinë e tij.

Menjëherë pas arrestit, klubi i United e pezulloi futbollistin, në pritje të një vendimi të gjykatës.

Pavarësisht se ai është liruar, nuk mund të stërvitet ende me skuadrën, pasi klubi do të presë zhvillimet në lidhje me akuzat e ngritura nga e dashura e tij, e cila e ka denoncuar për dhunë, tentativë për përdhunim dhe kërcënim për vrasje.

Akuzat janë të rënda dhe mediat angleze raportojnë se Greenwood mund të dënohet me 5 vjet burg.

Gjithsesi, sulmuesi do të vijojë të paguhet sipas kontratës, teksa merr 75 mijë paund në javë.

Por situata nuk është aspak e mirë për të te Manchester United, pasi fanella me numër 11 për momentin është hequr nga të gjitha rrjetet sociale zyrtare, madje edhe një pjesë e mirë shokëve të skuadrës e kanë hequr.

Ylli në rritje i Djajve të Kuq kishte impresionuar në fushë këtë sezon, duke shënuar pesë gola në Premier League dhe një në Champions League deri më tani.

Ai iu bashkua skuadrës që në moshën gjashtë vjeçare dhe u ngjit në majë derisa mori vendin e titullarit në ekipin e parë.

Në vitin 2019, në moshën 17-vjeçare, ai u bë futbollisti më i ri që luajti për United në Champions, por 3 vjet më pas karriera e tij mund të marrë kthesë të fortë.