Presidenca ka bërë publike gjatë ditës së sotme, 72 përgjigjet që Ilir Meta i ka dhënë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në kuadër të procesit për vlefshmërinë ose jo të shkarkimit të tij nga Kuvendi.

Një nga pyetjet që i është drejtuar Presidentit Meta është dhe ajo për gjuhën e përdorur ndaj funksionarëve publike.

Presidenti në përgjigjet e dhëna sot, ka deklaruar se është frymëzuar nga kryeministri Edi Rama.

Kuvendi pretendon se në dalje publike ka patur fyerje ndaj personave me funksione publike. A pranohet ky fakt?

Përgjigje: Presidenti i Republikës është atakuar në të gjitha llojet e formave, dhe kjo fushatë fyerjesh dhe denigrimi është frymëzuar personalisht nga Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryeministri i vendit Edi Rama. Faktet shumë të rënda publike lidhur me këtë gjenden në qëndrimin e dorëzuar që prej datës 1 korrik 2021, duke filluar që nga vendosja e Posterave të mëdhenj publik vendosur në akset kombëtare të vendit, nga Kryeqyteti, deri në qytete të tjera, ashtu si dhe në aktivitetet politike elektorale të Kryeministrit, i cili me video, foto, fjalë, ka fyer haptazi dhe publikisht Presidentin e Republikës. Këto fakte janë të njohura prej të gjithë shqiptarëve. Për këtë pyetje, kemi dhënë sqarime shteruese, edhe në përgjigje të pyetjes me nr. 2, të relatorit. Është me rëndësi që edhe Gjykata të rishohë dhe tre video ku shfaqen thirrje fyese dhe sulmuese të kryeministrit ndaj Presidentit në disa mitingje/aktivitete. Bashkëlidhur këtij materiali gjeni videot përkatëse në format CD.