Prezenca e OSBE-së në Tiranë mbështet zgjatjen e mandatit të Vettingut në Shqipëri, teksa thekson se duhen rezultate konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Ambasadori i OSBE, Vincenzo Del Monaco, është shprehur se ” nuk shikon ndonjë plan B apo kthim mbrapa në Reformën në Drejtësi”.
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i bashkohet deklaratës së Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në mbështetje të zgjatjes së mandatit të institucioneve të Vettingut. Duke folur në një takim vjetor strategjik mes Prezencës dhe Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Kryetari i Prezencës, ambasadori Vincenzo Del Monaco, theksoi progresin e jashtëzakonshëm të arritur deri më tani në Reformën në Drejtësi dhe shprehu besimin e plotë për rezultate të mëtejshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Lidhur me zgjatjen e mandatit të institucioneve të Vettingut, ambasadori Del Monaco më tej përsëriti se ai nuk shikon ndonjë plan B apo kthim mbrapa në Reformën në Drejtësi”, thuhet në deklaratën e OSBE-së.






