Detaje të reja zbulohen për ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmë në Durrës ku 32-vjeçari Jetmir Begu, i njohur edhe si Ilir Kuçi, u ekzekutua me armë zjarri teksa po parkonte makinën.
Dyshohet se i riu është ndjekur nga autorët, të cilët kishin studiuar çdo lëvizje të tij, dhe mbrëmjen e djeshme e kanë qëlluar për vdekje me breshëri kallashnikovi në lagjen nr.16, ku banonte vjehrri i tij.
Mësohet se 32-vjeçari me origjinë nga Hasi jetonte në zonën e ish-Kënetës ndërsa pjesën më të madhe të kohës e kalonte në zonën ku u vra, në një lokal aty pranë që e kishte dhe si “bazë”.
Sipas detajeve të reja, dyshohet se ekzekutimi i Begut ka të bëjë me prishjen e pazareve të drogës, dhe në vitin 2011 ai ishte i dënuar për trafik të lëndëve narkotike në shtetin italian.
Gjitashtu, 32-vjeçari njihej si një person problematik në vendin tonë pasi ndaj tij ishin bërë disa denoncime për kërcënim me jetë. Deri më tani, policia ka shoqëruar në komisariat 30 persona që mund të hedhin dritë mbi zbardhjen e plotë të vrasjes së Jetmir Begut.





