Një rrjet i strukturuar kriminal është goditur nga policia e Belgjikës mbrëmjen e djeshme për trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Mediat belge shkruajnë këtë të martë për një operacion të madh antidrogë që është duke u zhvilluar në disa zona të vendit.
Sipas tyre, ky është operacioni më i madh ndonjëherë në Belgjikë kundër bandave kriminale që trafikojnë drogë.
“Që prej mëngjesit të së martës qindra policë kanë kryer nga 100 deri në 200 kontrolle në shtëpi në vendin tonë, por edhe në disa vende fqinje, për të shkatërruar një bandë droge me degëzim ndërkombëtar. Aksioni vjen falë zhbllokimit të sistemit të koduar të komunikimit Sky ECC, me të cilin grupet kriminale punojnë prej vitesh”, shkruajnë mediat atje.
Hetimi i kryer nga Policia e Brukselit, në bashkëpunim me Europol dhe Interpol, zbuloi trafikun ndërkombëtar të drogës, ku shumica e personave të përfshirë vinin nga Evropa Lindore dhe banonin në rajonin e Brukselit .
Organizata ka pika lëshimi në rajonin e Antëerpen, pranë portit, vendi i mbërritjes së kontejnerëve me kokainë nga Amerika e Jugut. Hetimi shpejt përcaktoi një lidhje me shtetas nga Evropa Jugore, që i përkisnin mjedisit mafioz të Limburgut.





