Carmine Iampietro jeton në Shqipëri nga viti 2013 dhe është kthyer në një pikë referimi për të gjithë pensionistët italianë, që edhe pse me një pension të vogël, mund të jetojnë në mënyrë dinjtoze në vendin tonë.

Në një shkrim të medies italiane Bergamonews, Carmine e përshkruan Shqipërinë si rajoni i 21-të i Italisë, shenjë e mirë kjo për vendin tonë por edhe për italianët që duan të transferohen tek ne.

Shkaku pse pensionistët italianë e shohin me interes transferimin në Durrës është fakti se tek ne ata mund të jetojnë një jetë të qetë, në pallatet apo shtëpitë pranë detit, ose brenda në qytet, i cili po strukturohet pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.

“Jeta e pensionistëve evropianë, jo vetëm atyre italianë, në Durrës është shumë më e mirë nga ajo që mund të imagjinohet”,- thotë Carmine.

Për këtë arsye ai fton këdo që kërkon të transferohet në Durrës, që të vizitojë për rreth 15 ditë qytetin në mënyrë që të jenë më pas të sigurt për zgjedhjen që bëjnë.

Pensionistët italianë që në vendin e tyre të lindjes do të përballeshin me vështirësi të mëdha për të mbyllur muajin, në Durrës mund të jetojnë denjësisht dhe të mos heqin dorë nga shumë gjëra, që në Itali nuk do t’ia lejonin vetes.

Vendet e para që u ofruan pensionistëve italianë mundësinë për të kaluar vitet e moshës së tretë ishin Portugalia, Tunizia dhe Bullgaria.

Tani mundësi shumë të mira ofron edhe Shqipëria. Sipas medies italiane, pensionistët nuk kanë taksa për të paguar, kostoja e jetesës është më e ulët sesa në Itali, vit pas viti janë shtuar shërbimet dhe po rritet standarti i jetesës.

“Nga ana tjetër, italianët shihen me sy të mirë nga vendasit dhe integrimi i pensionistëve në jetën e përditshme në qytet nuk has aspak probleme”,- thotë Carmine.

Carmine Iampietro, president i Apia-s (Associazione pensionati italiani in Albania) ka ngritur kompaninë që u vjen në ndihmë pensionistëve italianë për të përgatitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të transferuar rezidencën nga vendi i tyre i lindjes, në Shqipëri.

Njëkoëhësisht ai po punon me qeverinë shqiptare për të hartuar një ligj që lehtëson procedurat e italianëve për të marrë rezidencën shqiptare.