Kreu i PD, Lulzim Basha është pyetur nga gazetarët se kush do të jetë ministri i radhës që do të arrestohet për aferën e inceneratorëve.
Ai tha se i referohet precedentëve si në rastin Tahiri apo Koka dhe se sa herë drejtësia i afrohet krerëve të aferës, shtyhen jashtë radhës.
Gjithsesi ai theksoi se e kujtdo të jetë radha, nuk mbaron pa shkuar tek i pari i qeverisë.
“Fjalë ka plot, siç i kam dëgjuar unë, i keni dëgjuar dhe ju. Por unë nuk i referohem fjalëve, i referohem precedentëve dhe precedentët janë sa herë drejtësia nën presion publik, nën presionin e PD, pse jo dhe nën presionin dhe të aleatëve, sa herë që i janë afruar një ministri, ai ministër papritur ka dhënë dorëheqjen dhe më pas është bërë subjekt i drejtësisë. Ky ka qenë rasti me Tahirin dhe me Kokën. Kjo është përvoja. Sa herë nxehtësia e drejtësisë i afrohet një prej krerëve të aferës shtyhen jashtë radhës pastaj mundohen me lloj marifetesh të zgjasin procesin.
E kujtdo të jetë radha, nuk mbaron radha pa shkuar tek i pari i punës që është i pari i qeverisë”, deklaroi Basha.





