I shtruar në spitalin e Durrësit, pas dhunës barbare të ushtruar ndaj tij për rreth një orë me radhë, 70-vjeçari Xhaferr Dervishi kërkon drejtësi.
I moshuari nga Kavaja u dhunua në shtëpinë e tij një natë më parë nga persona të maskuar, të cilët ai nuk ka mundur t’i identifikojë. Si pasojë e dhunës së ushtruar mbi të, ai nuk mban mend si ka përfunduar në spital dhe është i shqetësuar edhe për gruan e tij, e cila u dhunua së bashku me të.
“Më datë 22.01.2021, në orën 20:00, në Kavajë dyshohet se dy persona ende të paidentifikuar kanë tentuar të vjedhën me dhunë banesën e shtetasit Xh. D., 70 vjeç, të cilin e ka goditur me sende të forta, dhe është dërguar në spital për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën. Autorët nuk ka mundur të realizojnë vjedhjen dhe janë larguar me shpejtesi”,- njoftoi policia mbrëmjen e së premtes.
I moshuari thotë se autorët i kishin rrahur me hunj, grushte dhe sende të forta, ndërsa nga goditjet ai ka disa qepje në kokë dhe në fytyrë.
“Shteti të zbardhë ngjarjen, të gjejë autorët”,- thotë 70-vjeçari nga krevati i spitalit, ndërkohë që shenjat e dhunës së ushtruar mbi të duken qartë në fytyrën e tij.
Dy nga komshinjtë e tij, që ndodhen në spital për t’i ardhur në ndihmë 70-vjeçarit, apelojnë për gjetjen e autorëve pasi një fat të ngjashëm mund të pësojnë edhe prindërit e tyre. Shumë të moshuar janë të detyruar të jetojnë vetëm, pasi fëmijët e tyre ndodhen jashtë shtetit, në emigrim.
Pas dhunimit të dy të moshuarve, maskat i kanë mbyllur brenda dhe ata janë detyruar të dilnin nga dritarja për të shkuar më pas tek shtëpitë e komshinjve për të kërkuar ndihmë.





