Një shqiptare ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti fatal të ndodhur pasditen e së dielës më 20 shkurt në Treviso të Italisë.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 17:30, përgjatë rrugës provinciale 34 në Sernaglia Battaglia. Sipas medieve italiane, në të u përfshinë 2 makina, një Mercedez i zi A-Class, që drejtohej nga shqiptarja Edlira Alicka dhe një Audi A6 të cilat janë përplasur me njëra-tjetrën dhe kanë përfunduar në fushën poshtë rrugës.
Fatkeqësisht 55-vjeçarja shqiptare humbi tragjikisht jetën. Trupi i saj i pajetë mbeti i bllokuar në kabinë, pas përmbysjes së makinës. Ishin shërbimet e zjarrfikëses që bënë të mundur nxjerrjen e trupit të gruas, pas rreth 2 orësh.
Ndërsa dy të moshuarit, që ndodheshin në makinën tjetër kanë mbetur të plagosur lehtë dhe janë dërguar në spitalin Conegliano. Gjendja e tyre paraqitet e stabilizuar.
Aksidenti ndodhi menjëherë pasi mjeti i shqiptares u furnizua me karburant dhe në rrethana ende të paqarta është përplasur nga Audi A6.






