Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka “harruar” një shqiptar të ekstraduar nga Gjermania, i cili ishte në pritje prej 5 ditësh të caktimit të masës së sigurisë. Gjergj Çollaku u ekstradua në Tiranë, ndërkohë që masa e sigurisë “arrest me burg” iu dha 5 ditë me vonesë, ndonëse kjo duhej brenda 48 orëve raporton BW.
56-vjeçari nga Korça ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas avokatëve Çollaku është ekstraduar me datë 14 janar nga Gjermania, ndërsa sipas ligjit SPAK duhet të ekzekutonte menjëherë me pas urdhrin e arrestit. SPAK ka dërguar në Gjykatë procesverbalin e ekzekutimit të urdhrit të arrestit te datës 19 janar, pra 5 ditë më vonë.
Kujtojmë që muaj më parë, SPAK habiti jo pak me “arrestimin” e dy komisionerëve të vdekur që ishin pjesë e dosjeve 339 dhe 184.





