Duke marrë shkas nga situata në Ukraine, ku Rusia prej 4 ditësh po lufton, presidenti Ilir Meta ka shkuar sot për një takim zyrtar në ambasadën ukrainase në Tiranë.
Në qëndrimet e tij Meta ka dënuar sulmet në Ukrainë, ndërsa është solidarizuar me dhimbjen e popullit ukrainas.
“Jemi në krah të Ukrainës e Presidentit Zelensky, jemi për të shprehur dhe një herë tjetër ngushëllimet për viktimat e pafajshme e të gjithë të lënduarit nga ky agresion i pabesë dhe i pajustifikuar.
Ne kemi bërë e do bëjmë gjithë përpjekje me gjthë vendet demokratike e të përgjegjshme për të nxitur armëpushimin e rikthimin e mjeteve paqësore të dialogut bisedimeve dhe rrugëve dioplomatike të ndalimit të kësaj lufte por njëkohësisht besoj se vetëm rruga e dialogut në pozita të barabarta është zgjidhje për këtë situatë.”, tha Meta.





