Kryeministri Edi Rama ndodhet në Londër, në samitin e BERZH për investimet në Ballkanin Perëndimor.

Rama në tryezën me investitorët e huaj prezantoi dy projektet që lidhin vendin tonë me Kosovën dhe me Maqedoninë e Veriut, siç janë: Hekurudha Durrës-Prishtinë dhe Korridori i 8-të.

Sipas Kryeministrit, këto projekte do t`i japin zhvillim ekonomisë së të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Besoj që tashmë jemi në një fazë të re e është shumë e qartë për njerëzit që vizitojnë Shqipërinë se është një parajsë e turizmit dhe për investimin në turizëm.

Nuk do ju bezdis me shifrat se në Ballkan kemi një shtysë të brendshme të themi ne kishim numrin më të lartë por dua t’iu them që ne edhe gjatë momenteve më të vështira të pandemisë kemi parë një rritje shumë të dukshme të industrisë sonë të turizmit.

Nga ana tjetër në sektorin energjitik që është strategjik jo vetëm për ne por dhe kohët që po jetojmë, po përgatisim investime masive në energji natyrisht me kompani të huaja.

E njëjta gjë falë qëndrimit të Varhelyi e nxitjes së tij për ta sjellë BE më pranë Ballkanit në terma reale kemi parë një sërë shtigjesh të reja që po hapen për infrastrukturën dhe rrjetin hekurudhor.

Shpresoj që do jemi në gjendje të bëjmë më shumë e të vazhdojnë me Kosovën hekurudhën Durrës- Prishtinë e nga ana tjetër me investimet për “Korridorin e 8″ me Maqedoninë e Veriut që do i japë nxitje shtesë ekonomisë sonë të Kosovës e rajonit”, u shpreh Rama.