Asambleja zgjedhore e Federatës Shqiptare të Futbollit do të zhvillohet pasnesër në 2 mars si ishte parashikuar, pavarësisht vendimit të Gjykatës për të ndaluar mbajtjen e saj.

Ka qenë vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, që ka bërë të ditur zhvillimin e saj, por me një detaj: nuk do të ketë zgjedhje të presidentit të ri të institucionit të futbollit dhe antarëve të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së:

Duke qenë dëshmitar të një procesi të ndërlikuar me debate e akuza, por edhe disa vendime gjyqësore, përfshirë dhe atë për Shoqatën Rajonale të Futbollit Tiranë që duhet të respektohen detyrimisht, unë do t’i propozoj dhe do t’i kërkoj Asambles që pikën e rendit e ditës për zgjedhjet e organeve drejtuese të FSHF për President dhe anëtar të Komitetit Ekzekutiv, të shqyrtohen në një datë tjetër”, sqaron Duka.

E gjitha kjo është e destinuar të krijojë kaos në futboll, me Gjykatën e Tiranës, që përmes një vendimi të datës 21 shkurt njoftoi bllokimin e zgjedhjeve të 2 marsit, në të cilën do të zgjidhej edhe kreun i FSHF-së.

Pas Gjyqtares F. Osmani edhe Gjyqtari F. Kapllani vendosi pezullimin e zgjedhjeve të FSHF-së, me kërcënimin se moszbatimi i vendimit të kësaj Gjykate është shkelje penale dhe shkelësit do të përballen me një sanksion prej 2-3 vjet burg.

Sikur të mos mjaftonte, vetëm dy ditë përpara Asamblesë zgjedhore të FSHF, Gjykata e Tiranës ndërhyri edhe njëherë sot në cështjet e futbollit, duke pezulluar përkohësisht nga detyra presidentin, Armand Duka.

Ky, në fakt, është vendimi i gjashtë kundër Federatës dhe presidentit të saj gjatë muajit të fundit, pasi institucioni që qeveris futbollin shqiptar është akuzuar zyrtarisht nga të paktën 4 shoqata rajonale për manipulim të procesit zgjedhor.

Ky vendim i Gjykatës, sipas asaj që mësohet, bëhet për t’i paraprirë kaosit të mundshëm që mund të krijohej të mërkurën, me FSHF që ka vendosur t’i zhvillojë zgjedhjet pavarësisht vendimit të Gjykatës për bllokimin e procesit.

Asambleja, sipas asaj që pohon Duka, do të zhvillohet, por kjo është një tërheqje e numrit 1 të futbollit, ndoshta strategjike, në pritje të raportit të misionit të UEFA-s për procesin zgjedhor:

Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka vendosur thirrjen e Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore më datë 2 mars 2022, me një rend dite siç e parashikon Statuti i FSHF-së”, shkruan Duka.