Deputeti i Partisë Demokratike, Arbër Agalliu është shprehur se nëse nuk do të kishte presion publik atëherë paratë e shqiptarëve do të vidheshin nga qeveria e korruptuar e kryeministrit Edi Rama.
Në një deklaratë për mediat ai shtoi se sa kohë që në pushtet të jetë qeveria Rama, atëherë vendi nuk do të ketë zhvillim.
“Lufta ndaj korrupsionit është një prioritet kombëtar, po varfëron çdo ditë shqiptarët dhe po shkatërron ekonominë dhe si e tillë duhet të trajtohet nga institucionet e drejtësisë.”, tha ndër të tjera Agalliu.
Deklarata:
Disa javë më parë ne denoncuam tenderin prej 500 milionë lekësh që Fondit Shqiptar i Zhvillimit ka dhënë për përgatitjen e një menuje tradicionale.
Bëhet fjalë për një tender për hartimin e menusë së projektit të “100 fshatrave”. Tender i paracaktuar për t’iu dhënë djalit të drejtorit të FSHZH, Dritan Agolli që ka bërë tenderin.
Komisioni i Prokurimit Publik thotë se ka anuluar tenderin abuziv 500 milionë lekësh të fondit shqiptar të zhvillimit për dizenjimin e menusë së 100 fshatrave. Nëse nuk do të ishte presioni publik pas publikimit të fakteve se si Fondi Shqiptar i Zhvillimi kishte paracaktuar fituesin e tenderit, ky tender nuk do të ishte anuluar dhe paratë e shqiptarëve do të përfundonin në xhepat e pushtetarëve të korruptuar.
Por po kështu dhe nisja e hetimit nga SPAK ka nxitur Komisionin e Prokurimit Publik të heqë përgjegjësinë ligjore. Në arsyetimin e tij, komisioni ka faktuar se kriteret e vlerësimit teknik nuk janë në përputhje me legjislacionin për prokurimin publik, çka është një provë më shumë për SPAK, për të çuar para drejtësisë mikun e Ramës, Dritan Agolli.
Ndërkohë që fshatrat s’kanë rrugë, drita e ujë, s’kanë asnjë investim të kryer apo planifikuar, qeveritarët e korruptuar duan të vjedhin paratë e tyre përmes tenderëve për menu.
Ne inkurajojmë SPAK të çojë para drejtësisë zyrtarët e korruptuar që shpërdorojnë taksat e qytetarëve më të varfër në Evropë, me skema të tilla si kjo menu 500 milionëshe. Njerëzit e ndershëm të këtij vendi vuajnë varfërinë e krijuar nga korrupsioni i kudondodhur nga braktisja e qeverisë në ditët e tyre më të vështira, siç ishte tërmeti, pandemia e tashmë dhe çmimet e rritura të ushqimeve, të karburantit, ndërsa qeveria e ka mendjen si të përfitojë nga një listë gatimesh me vlerë prej 500 milionë lekësh, deri te megaskandali i inceneratorëve, dhe është kthyer në armikun më të egër të mirëqenies së shqiptarëve.
Lufta ndaj korrupsionit është një prioritet kombëtar, po varfëron çdo ditë shqiptarët dhe po shkatërron ekonominë dhe si e tillë duhet të trajtohet nga institucionet e drejtësisë.
Shqiptarët presin ndëshkim nga drejtësia.
Shqiptarët e dinë se;
Edi Rama është i korruptuar.
Qeveria e tij është e korruptuar.
Me këta në krye, Shqipëria nuk mund të ketë zhvillim.
Shqiptarët duhet ta braktisin të shkuarën dhe të korruptuarit!





