Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha këtë të martë gjatë takimit që zhvilloi me kryeministrin Rama me gazetarët se nuk pritet që të ketë kufizime në energji për sa kohë qeveria mund ta sigurojë atë në tregjet ndërkombëtare.

Balluku foli edhe për çmimin e naftës dhe tha se në kushtet aktuale duhet të fillojmë që ta konsumojmë më pak dhe të kursejmë.

“Do humbë sensi i gjithçkaje dhe do dalë lajmi që do të ketë kufizime. Nuk do të ketë kufizime, por ajo që duhet pasur parasysh është që çmimi është një hall shumë i madh, por sot po mbahet në kurriz nga qeveria dhe nuk e ndjen familjari. Kjo është mundësia që sot po diskutojmë si të ulim çmimin e naftës. Ka edhe një mundësi tjetër për naftën, duhet të konsumojmë më pak. Të mos marrim makinën për të blerë cigare apo për të blerë bukë te cepi i rrugës, por të ecim me këmbë. Kështu ndodh kur rriten çmimet duke qenë se ky është një produkt që tregtohet në treg nga privatët. Shteti nuk ka çfarë bën. Shteti po e hoqi taksën nga nafta do e paguani tek DPSHTRR. Është taksa e karbonit dhe e qarkullimit dhe do paguhen të gjitha. Kur flasim për çmimet e naftës ka edhe një gjë tjetër për t’u bërë, për t’u kursyer nafta. Sa i përket kufizimeve, nuk do të ketë kufizime për sa kohë garantojmë energjinë. Kur tregu të shkojë në ekstremitete sepse e shpjegova që dalim në import dhe është e vështirë të plotësojmë atë sasi që kërkohet për të plotësuar kërkesën e tregut përveç gjenerimit vendas që kemi. Nuk do të ketë kufizime deri ditën ku do të arrijmë të sigurojmë në treg energjinë. Por me këtë po përballet Europa. Shkojmë në të njëjtin aty ku blen Italia dhe Gjermania e kushdo”, tha Balluku.