Ish-deputetja e Partisë Demokratike Rudina Hajdari ka reaguar mbi situatën e kësaj force politike, e cila u rendit në vendin e tretë në zgjedhjet lokale të 6 Marsit.
Me anë të një statusi në rrjete sociale, ajo thotë se Basha e Berisha e shkatërruan partinë, andaj sipas saj ata duhet të largohen.
Hajdari bën thirrje që deputetët të ngrihen sa më shpejt të jetë e mundur, përpara se të jetë vonë.
Postimi i Rudina Hajdarit:
“Nuk kam fjalë për ta përshkruar ndjesinë e tmerrshme që pata dje kur pashë se Partia e themeluar nga im atë dhe qindra studentë guximtarë, të cilët luftuan me rregjimin komunist për të instaluar demokracinë në Shqipëri, u katandis nga forca që solli lirinë dhe demokracinë në një parti të vogël e pa mbështetje elektorale.
Si ish deputete e PD kjo më dhemb, e si bija e Azem Hajdarit kjo më tmerron.
PD nuk është prona as e Lulzim Bashës e as e Sali Berishës, të cilën ata mund ta shpenzojnë, shpërdorojnë, shkatërrojnë sipas interesit të tyre personal.
PD ka mundësi sërish ta kryejë këtë mision, por kjo nuk arrihet as me Bashën e as me Berishën.
Nëse ata vazhdojnë betejën e tyre për plaçkë e interesa të vogla, nga PD do mbetet veç disa faqe në historinë e Shqipërisë. Ata nuk frymëzojnë më askënd, rezultatet e djeshme e tregojnë qartë këtë.
Çdo demokrat, çdo militant, çdo zyrtar, çdo deputet i PD që nuk ka hyrë aty për plaçkë por për ideal e pasion duhet sot të ngrejë krye e të shpëtojë PD nga shkatërrimi e zhdukja.
SOT! Nesër do të jetë vonë!”





