Vritet gazetari i “New York Times”, Brent Renaud në Irpin të Ukrainës.

Renaud është vrarë këtë të diel në qytetin Irpin të Ukrainës nga forcat ruse, ndërsa raportohet se dy gazetarë të tjerë që ishin me të, mbetën të plagosur.

Shefi i policisë së Kievit Andriy Nebitov publikoi lajmin në Facebook, duke postuar mjetet e identifikimit të gazetarit si dhe fotot e rënda të trupit të pajetë.

Ndërkohë në mediat sociale është publikuar një video nga transportimi i të plagosurve në spital, ku një prej tyre tregon si ndodhi ngjarja e rëndë, por thotë se nuk ka dijeni për gjendjen e kolegut.

“Unë jam Wain, jam nga SHBA, po kalonim urën e parë në Irpin dhe po shkonim të filmonim refugjatët që po iknin dhe prandaj hipëm në një makinë që mund të na çonte në urën tjetër. Kur kaluam post bllokun ata filluan të na qëllonin, shoferi u kthye mbrapsh po ata vazhdonin të na qëllonin, shoku im Brand është qëlluar, nuk e di si është, e pashë që ishte qëlluar në qafë”, tha gazetari.