Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar pezullimin nga detyra të katër punonjësve të Komisariatit të Policisë Himarë, pas konstatimit të një ndërtimi 5-katësh pa leje në Qeparo.
Bëhet fjalë për nënkomisar Ferit Merkaj, komisar Emiljano Prenga, nënkomisar Klodjan Petani, inspektor Redin Çaushaj.
Sipas Policisë, objekti në vendin e quajtur “Sugë” kishte nisur të ndërtohej që në dhjetor 2025 dhe përbëhet nga një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë. Ndaj pronarit të tij, L. B., banues në Laç, është bërë arrestimi, ndërsa tre punonjës të IMT-së Himarë janë shpallur në kërkim për “Shpërdorim detyre”.
Policia thotë se nga verifikimet paraprake rezulton se gjatë periudhës së ndërtimit, Komisariati i Himarës nuk ka marrë masa për ndalimin e punimeve dhe ndjekjen ligjore të rastit.
Katër efektivët do t’i nënshtrohen hetimit disiplinor, ndërsa Policia e Shtetit deklaron se do të ndëshkojë punonjësit që shkelin ligjin apo abuzojnë me detyrën.
Njoftimi i Policisë:
Policia e Shtetit/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, pezullon nga detyra gjithë zinxhirin komandues të Komisariatit të Policisë Himarë, që kanë qenë në detyrë gjatë periudhës kur është ndërtuar një objekt 5-katësh pa leje në Qeparo, Himarë
Në vijim të masave të marra për evidentimin dhe goditjen e ndërtimeve pa leje, si dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave përgjegjës, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë, konkretisht:
– Nënkomisar F. M., ish-Shef i Komisariatit të Policisë Himarë, aktualisht Shef i Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Vlorë;
– Komisar E. P., ish-Shef i Seksionit dhe Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Himarë, aktualisht Shef i Seksionit dhe Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Divjakë;
– Nënkomisar K. P., ish-Specialist për Hetimin e Krimit, Zona Policore nr. 1, aktualisht Specialist për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë;
– Inspektor R. Ç., me detyrë Ndihmës/Specialist SPZ, Zona Policore nr. 1, në Komisariatin e Policisë Himarë, zonë në të cilën u konstatua ndërtimi pa leje.
Pezullimi i menjëhershëm i tyre dhe nisja e hetimit disiplinor u bë pasi, në vendin e quajtur “Sugë”, Qeparo, Himarë, u konstatua se shtetasi L. B., banues në Laç, kishte ndërtuar një objekt me një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë, pa lejen e organeve kompetente.
Ky shtetas u arrestua ditën e djeshme nga Komisariati i Policisë Himarë, ndërsa u shpallën në kërkim 3 punonjës të IMT-së Himarë, konkretisht kryeinspektori dhe 2 inspektorë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Nga verifikimet paraprake rezulton se ndërtimi i objektit kishte filluar në dhjetor 2025 dhe nga ana e Komisariatit të Policisë Himarë nuk janë marrë masa për parandalimin e ndërtimit dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit që po kryente ndërtimin.
Policia e Shtetit është e vendosur të ndëshkojë dhe largojë nga radhët e saj, cilindo punonjës policie që nuk zbaton ligjin, nuk përmbush detyrën, abuzon me të dhe cenon besimin e qytetarëve.





