Një grua shtatzënë e cila u fotografua duke u evakuuar nga një maternitet i bombarduar në qytetin ukrainas të Mariupol, ka ndërruar jetë së bashku me foshnjën e saj. Pas sulmit rus javën e kaluar, ajo u dërgua me urgjencë në një spital tjetër, sipas agjencisë së lajmeve AP.
Ndërsa mjekët u përpoqën ta shpëtonin, teksa kuptoi se po humbiste fëmijën e saj thuhet se ajo thërriti: “Më vrisni tani!”
“Foshnja u lind me prerje cezariane, por nuk tregoi asnjë shenjë jete. Të dy vdiqën,” tha kirurgu.
Pas bombardimeve, Rusia mohoi se kishte nisur sulme në spitalin e fëmijëve në qytetin port të Mariupolit. Moska pretendoi se ndërtesa ishte pushtuar nga ekstremistët ukrainas dhe se asnjë pacient apo mjek nuk kishte mbetur brenda.
Këto raportime u hodhën poshtë nga autoritetet ukrainase.





