Mediat italiane kanë publikuar të tjera detaje lidhur me operacionin e policisë italiane të orëve të para të mëngjesit të sotëm ku u godit një organizatë kriminale italo-shqiptare e trafikut të drogës.
Hetuesit e skuadrës së Romës po zbatojnë 13 urdhra-arresti të kërkuara nga Drejtoria e Rrethit Antimafia të Romës dhe të lëshuara nga gjyqtari hetues i prokurorisë së Romës.
Mes 13 të dyshuarve është edhe këngëtarja Elsa Lila, 40 vjeçe, e cila kishte rolin e financieres në organizatë. I përfshirë është edhe boksieri Petrit Bardhi, i njohur si “Titty”. Emri i këtij të fundit doli edhe gjatë një operacioni tjetër në korrik të vitit 2015 në një operacion të mëparshëm të Gico della Guardia di Finanza.
Klani italo-shqiptar
Organizata kriminale, për të cilën u arrestuan sot 9 persona, të gjithë me kombësi italiane dhe shqiptare, vepronte kryesisht në zonën e Acilisë dhe merrej me trafikimin, mbajtjen dhe shitjen e lëndëve narkotike si kokainë, hashash dhe marihuanë. Përgjithësisht, grupi blinte sasi të ndryshme droge, i transportonte me makina dhe më pas i fshehte nëpër shtëpi dhe garazhe deri sa t’u dorëzoheshin më pas blerësve.
Hetimet
Hetimet nisën nga sheshet e trafikut të drogës në zonat Torpignattara dhe Marranella ku u zbuluan lidhje me disa organizata kriminale shqiptare të Romës, aktive mbi të gjitha në zonën e Acilias.
Nga këta elementë rezultoi roli drejtues i një shtetasi shqiptar në organizatë. Ky i fundit kërkohet jashtë vendit. Shqiptari në bashkëpunim me bashkatdhetarë të tij kryenin paketimin, ruajtjen dhe shitjen e drogës, por ndihmoheshin edhe nga italianë të tjerë, qytetarë që kishin rolin e furnitorëve.
Gjithashtu u zbulua se në disa bare në Acilia organizoheshin takime për të diskutuar mbi strategjitë e veprimtarinë e klanit dhe bazat logjistike në të cilat do të ruheshin substancat në pritje të shitjes.
Mediat italiane shkruajnë se një bodrum i madh në zonën e Torrevecchias kishte funksionin e një magazine qendrore. Në fund, gjatë hetimeve u sekuestruan 5 kg kokainë, 43 kg marihuanë dhe 82 kg hashash.