Ditën e sotme qarkulloi në disa portale lajmi se moderatorja e njohur dhe ish-miss-i Floriana Garo do të përfshihej në listën e kandidatëve të PD-së në qarkun Durrës.

Madje, portali që nxorri lajmin nënvizonte se Garo kishte marrë nga Basha premtimin se do të pozicionohej në një vend fitues të listës.

Sesa e vërtetë mund të jetë kjo hipotezë mbetet të provohet në ditët dhe javët në vijim, por ia vlen të kujtohet se edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, emri i Garos u hodh për konsum nga disa media me ndryshimin e vetëm që 4 vite më parë do të kandidonte në listën e qarkut Tiranë. Në atë kohë, ishte vetë moderatorja që përgënjeshtroi zërat për një kandidim të saj.

Ish-miss-i dhe moderatorja e njohur, e lindur në vitin 1987 në Durrës nga dy prindër intelektualë ka jetuar për shumë vite në SHBA. Pas rikthimit nga kontinenti i largët ajo u angazhua si prezantuese e emisionit “Jo vetëm modë”, ndërsa prej disa vitesh jeton me bashkëshortin e saj në Gjenevë të Zvicrës dhe është nënë e dy fëmijëve të mitur, një vajzë dhe një djalë.  

Në nëntor të vitit të kaluar, Floriana Garo, gjatë një interviste për median albinfo.ch e pyetur nëse do të rikthehej para publikut shqiptar u përgjigj: “Në një formë ose në një tjetër, do të kthehem në vëmendje të publikut”.

Të ketë qenë ky një paralajmërim për një angazhim të mundshëm politik?

Gjatë po të njëjtës intervistë, ndërsa bënte krahasimin mes Shqipërisë dhe Gjenevës Garo do të shprehej:

“E shoh me një politikë-bërje shumë problematike që e dëmton çdo ditë e më shumë popullin. Një sistem të korruptuar që vetëm do t’i shfrytëzojë njerëzit në maksimum, e me njerëz të lodhur që janë të pafuqishëm për të luftuar për veten dhe të drejtat e tyre. E shoh me një dëshirë të zjarrtë të bëj diçka për ta ndihmuar situatën të ndryshojë. Zvicra më ka bërë të mendoj kështu, pasi bëj krahasimin. Këtu populli ka rëndësi, atje jo”.

Mbetet për t’u parë nëse kjo dëshirë e zjarrtë e Garos për të ndihmuar shqiptarët dhe Shqipërinë që situata të ndryshojë do të materializohet në një angazhim të mundshëm politik.

Rudina Hajdari është një nga shembujt sesi lideri i PD-së Lulzim Basha katapultoi në politikë një emër që prej vitesh jetonte në SHBA, megjithëse ishte bija e një prej liderve të lëvizjes së Dhjetorit 1990, Azem Hajdarit.

Lista Basha e zgjedhjeve të vitit 2017 u kritikua mjaft edhe nga vetë demokratët, kritika të cilat pak kohë më vonë i pranoi edhe vetë lideri i demokratëve. Megjithëse zhvilloi gjatë muajit shtator 2019 një proces të gjerë propozime emrash nga baza demokrate (rreth 3000 të tillë), emra të cilët më pas kaluan në filtrin e Komisionit të Vlerësimit, nuk është çudi që ashtu si 4 vite më parë, lista përfundimtare e kandidaturave të përmbyllet vetëm disa minuta përpara përfundimit të afatit të dorëzimit në KQZ dhe të mos merren parasysh propozimet e demokratëve.

Ngadalësia në përcaktimin e emrave të drejtuesve politikë (deri tani janë prezantuar vetëm 5 nga 12 qarqe) është një tjetër dëshmi se 4 vite të tjera në opozitë nuk e kanë shkathtësuar aspak liderin e selisë blu.

M.B.