Kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako ka qenë sot e pranishme gjatë prezantimit të projekteve finale të banesave kolektive që do të rindërtohen në Durrës nga Emiratet e Bashkuara Arabe (UAE) duke përfshirë edhe dy zonat e zhvillimit në Spitallë dhe në Manzë.

“Në prezantimin e zhvilluar nga FSHZH merrte pjesë edhe përfaqësuesi i UAE, Ahmaad M.Saeed. Në këtë prezantim është diskutuar gjerësisht rreth procesit të rindërtimit dhe zonave të reja të zhvillimit që do të jenë lagje urbane model.

Hartimi i projekteve të banesave kolektive është një fazë e rëndësishme që i paraprin fillimit të punës në terren ku vendi mik i Emirateve të Bashkuara Arabe do t’i japë qytetit tonë një ndihmesë të çmuar me ndërtimin e shumë pallateve me standarte të larta ku do të strehohen familjet e prekura nga tërmeti”,- njofton bashkia.

Ajo që bie në sy në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të kryebashkiakes në detyrë dhe njëkohësisht edhe në atë të bashkisë Durrës është mungesa e detajeve nga projektet, megjithëse theksohet se gjatë takimit janë prezantuar projektet finale. Ndërsa nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk ka asnjë njoftim zyrtar.

Duke qenë se projektet në fjalë pritet t’i japin zgjidhje një sërë problematikash të procesit të rindërtimit, qytetarët durrsakë duhet të njihen me të dhëna konkrete nga projektet dhe jo foto 3D që serviren rregullisht nga burimet zyrtare të informimit.