Statuja e Redonit është rikthyer në vendin e tij pasi u dëmtua nga moti i keq që kishte përfshirë vendin tonë në fund të vitit të kaluar.
I gjithë procesi është monitoruar nga afër nga vetë skulptori Ilirjan Xhixha, i cili siç duket edhe në video ka orientuar herë pas here punonjësit për rivendosjen e Redonit.
Era e fortë e të martës së 29 dhjetorit shkëputi një pjesë të skulpturës, konkretisht perëndinë Redon që qëndronte në këmbë mbi kuajt e tij në hyrje të shëtitores “Taulantia”.
Pas dëmtimit, statuja e Redonit u spostua në një ambient në Shkozet ku iu nënshtrua riparimeve të nevojshme për t’u rikthyer sërish sot në “vendin” e tij.
Vepra artistike e skulptorit Xhixha ishte vendosur rreth një vit më parë në një nga sheshet kryesore të Durrësit, si një simbol i fuqisë dhe përkatësisë pellazgo-ilire.





