Ditën e sotme po zhvillohet seanca e parë gjyqësore për dosjen “184”, pas hetimeve për shitblerje të votës. Pasi Prokuroria e Dibrës përfundoi hetimet një muaj më parë, tashmë pas tre vitesh do të gjykohet para togave të zeza.

Sot do të vendoset nëse çështja rikthehet për hetim apo vijon procesi gjyqësor.  Mësohet se në seancë do të jetë i pranishëm edhe përfaqësuesi i PD, në rolin e kallëzuesit.

Kujtojmë se dosja “184” kaloi disa herë nga Dibra në Tiranë, tek Krimet e Rënda, në SPAK. Si përfundim, SPAK e la në kompetencë të prokurorisë Dibër.

Të pandehurit janë Robert Aga, ish-shef komisariati në Dibër, akuzuar për shpërdorim detyre, Drini Gjeci ish-drejtor i Arsimit, akuzuar për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve, Nuri Meda zyrtar në njësine administrative Tomin akuzuar për shpërdorim detyre dhe Hasan Hoti, njësia administrative Lurë akuzuar për kanosje të zgjedhësve.

Pushimi i çështjes është kërkuar për Dionis Imeraj, Imer Lala, Arben Keshi, Bekim Krashi, Afrim Mikli, etj..