Kryeministri Edi Rama ka pritur sot në Tiranë, kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn.
Permes një postimi në rrjetet sociale, Haradinaj shkruan se me Ramën kanë diskutuar edhe për projektin e hekurudhës Prishtinë-Durrës, si dhe për dhënien e dyshtetësisë mes vendeve.
“Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë në ekonomi, infrastrukturë, siguri e politikë të jashtme, ishin temat kryesore të takimit të sotëm me Kryeministrin Edi Rama. Bashkëbiseduam gjithashtu për projektin e Hekurudhës Prishtinë – Durrës si projekt i domosdoshëm për të dyja vendet, si dhe dhënien e dyshtetësisë për qytetarët tanë. Falënderova Kryeministrin Rama për ndihmën e shtetit shqiptar gjatë krizës energjetike në Kosovë dhe shpreha nevojën e gjetjes së mënyrave të bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve në këtë kohë aspak normale”, ka shkruar ai.
Ky është takimi i parë mes tyre, pas padisë së Ramës për shpifje ndaj Haradinajt.





