Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut do të rehabilitohet plotësisht, me një projekt transformues, investimi i parë i plotë pas më shumë se 40 vitesh.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se përmes këtij investimi, shërbimi do të jetë më dinjitoz për qytetarët dhe personelin e këtij institucioni.
“Ne nuk kemi ndalur investimet në shëndetësi në një periudhë jo të lehtë, qoftë nga pandemia, por edhe nga kriza të tjera që kanë kapluar botën. Nëpërmjet buxhetit të vitit 2022, kemi vendosur që projekti që kemi hartuar për Qendrën Kombëtare të Gjakut, të financohet dhe të fillojë nga muaji maj rehabilitimi i kësaj qendre. Ky investim kap vlerën rreth 1.5 milion dollarë, plus gjithë pajisjet që duhen, që do të instalohen me përfundimin e këtij investimi. Sigurisht, çfarë është e rëndësishme është jo vetëm infrastruktura por edhe sistemi i informacionit, për të cilin ne jemi duke punuar dhe që do të fillojë që në këtë vit, jo vetëm për Qendrën Kombëtare të Gjakut por edhe për qendrat satelite që janë në spitalet rajonale”, tha Manastirliu.
Gjatë inspektimit në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Manastirliu deklaroi se nëpërmjet sistemit të ri, bankat e gjakut në të gjithë vendin do të menaxhojnë më shpejt dhe më mirë etapat e administrimit të gjakut dhe nënprodukteve të tij.
“Nëpërmjet një sistemi menaxhimi të integruar informatik që jemi duke punuar për t’a instaluar, për ta shtrirë në gjithë pikat satelite të bankave të gjakut në spitalet rajonale, por edhe në këtë qendër, që do të jetë qendra kryesore që menaxhon dhe administron të dhënat që nga momenti i marrjes së gjakut dhe procesimit të tyre për çdo individ që dhuron, i gjithë regjistri i dhuruesve të gjakut do të jetë online. Të gjithë informacionet që kane të bëjnë me hemovigjilencën dhe gjithashtu mënyra e menaxhimit të gjakut do të jetë nëpërmjet këtij sistemi informativ, që do të na japë gjithë mundësinë të kemi në kohë reale sasinë e disponueshme të gjakut në vend, mundësinë për të krijuar rezervat e nevojshme dhe gjithashtu dhe garantim të cilësisë dhe sigurisë”, u shpreh Manastirliu.
Projekti për rehabilitimin e Qendrës se Transuzionit të Gjakut kap vlerën e rreth 1.5 milion dollarë. Kjo godinë ka një sipërfaqë rreth 3000 m2 dhe projekti i ri parashikon të ketë karakteristikat e një godine tepër moderne me kushte të standarteve europiane dhe laboratorë të një sigurie të lartë. Investimi i ri do të përmirësojë edhe aspektet kërkimore-shkencore, duke fuqizuar akoma më shumë këtë qendër, duke ngritur në një nivel më të lartë shërbimin dhe duke i hapur rrugë të reja bashkëpunimit me institucionet simotra europiane.