Dy persona janë arrestuar nga policia pasi akuzohen se kanë tentuar të vjedhin një banesë në Lushnje.
Policia njofton se ata janë kapur në flagrancë pasi kishin thyer derën e banesës që i kishin “vënë syrin”.
Në momentin e arrestimit, policia ka sekuestruar çantën me vegla që ata përdornin për thyerjen e derës së banesës.
Njoftimi i policisë
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, arrestuan në flagrancë shtetasit Xh. M. dhe E. T., banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë, janë kapur në flagrancë në tentativë për të vjedhur në banesën e shtetasit Sh. Ç.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy çanta me vegla të ndryshme që autorët përdornin për të hapur me thyerje derën e banesës.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.





