Janë zbuluar detaje të reja nga hetimet për vrasjen e Ilir Likës, i njohur edhe me mbiemrat Gjini dhe Kokaj dhe Nure, të ndodhur dy ditë më parë në Laç.

Janë gjetur dhe sekuestruar dy armët e zjarrit që dyshohet se janë përdorur gjatë ngjarjes, si dhe 15 gëzhoja e sende të tjera me interes për hetimin.

Njëra prej armëve është një revolver, i cili është dërguar për ekspertizë balistike për të verifikuar përdorimin e tij në krim dhe për të hedhur më shumë dritë mbi dinamikën e ngjarjes.

Të premten, referuar burimeve, gazetari i Klan News, Martin Marku, raportoi se ka dyshime se autorët e kanë ndjekur 40-vjeçarin deri në momentin kur e ekzekutuan pranë apartamentit të tij.

Viktima kishte parkuar automjetin disa metra larg banesës dhe po ecte në këmbë, kur është qëlluar me të paktën shtatë plumba. Njëri prej tyre e ka goditur në kokë, duke i shkaktuar vdekjen në vend.

Policia ka arritur të identifikojë dhe shpallë në kërkim autorin e dyshuar, E.Suti, alias A.Suti.