Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali, ku një shqiptar 49-vjeçar ka ndërruar jetë në sy të bashkëshortes dhe vajzës së tij pas një aksidenti me makinë.

Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, Ndriçim Gjuzi, po udhëtonte me familjen e tij me një makinë tip Fiat drejt Milanos kur u përfshi në një aksident në autostradë.

Mësohet se makina ku udhëtonte 49-vjeçari me gruan 41-vjeçare dhe vajzën 4 vjeçe u përplas nga një makinë tip “Opel Corsa”. Deri këtu asnjë dëmtim për pasagjerët e dy makinave.

Shoferët kanë dalë nga mjetet për të parë dëmet dhe kanë vendosur që të spostojnë makinat në korsinë e emergjencës për t’u sqaruar. Makina e parë që lëvizi ishte “Opeli”, por këtu ndodhi tragjedia, shkruan Il Giorno.

Teksa Gjuzi po bëhej gati të hipte në mjetin e tij, u përplas nga një makinë e tretë. Një aksident tragjik ky, i cili ndodhi në sy të gruas dhe vajzës së tij.