Kira Glodan, një foshnjë 3-muajshe është një nga viktimat e fundit në luftën në Ukrainë. Vogëlushja është vrarë së bashku me nënën dhe gjyshen e saj në një sulm me raketa në Odesa ditën e shtunë.
Vdekjet e civilëve kanë shkaktuar zemërim dhe neveri në Ukrainë. Teksa ka komentuar lajmet e trishta për humbjet e jetëve, presidenti ukrainas ka thënë mes dhimbjes se “vrasja e fëmijëve është një ide e re e Rusisë”.
Daily Mail raporton se Zelensky i përshkroi ata që kishin planifikuar dhe kryer sulmin si “bastardë”. “Duket se vrasja e fëmijëve është vetëm një ide e re kombëtare e Federatës Ruse. Ata janë thjesht bastardë. Nuk kam fjalë të tjera, thjesht bastardë,” tha ai.
Babai i Kirës, Yuriy, rrëfen se e pa trupin e saj për herë të parë kur u kthye në banesën e tij të shkatërruar të dielën.
“E gjithë bota ime u shkatërrua dje nga një raketë ruse. Ajo që po ndodh është një pikëllim për familjen time, për qytetin tonë, për Ukrainën, është një pikëllim për të gjithë qytetërimin”, tha babai i Kirës së ndjerë.






